Zaccheroni “skanon” Milanin: Atij i duhet dhënë një shans tjetër, Piatek dhe Ibra nuk…

27 Janar 2020
12:11
Alfred Lleshi
back button

Milani ka bërë kthesën, gjë të cilën e “bekon” edhe Alberto Zaccheroni. Fjala është për trajnerin që i drejtoi kuqezinjtë në sezonin 1998-1999. I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, tekniku italian tha mendimin e tij për “Djallin” e sotëm dhe përparimin e dukshëm në vitin 2020. E fillon me Stefano Pioli, “arkitektin” e Milanit aktual, së bashku me Zlatan Ibrahimovic: “Ai është një trajner shumë i përgatitur teknikisht, një nga më të mirët. Prandelli më ka thënë se e telefononte shpesh atë për të diskutuar e konsultuar mbi futbollin”.

Sidoqoftë, Zaccheroni sheh mbi të gjitha një problem në shtëpinë e kuqezinjve: “Përveç Donnarumma, të gjithë të tjerët janë duke bërë më keq se sezonin e kaluar. Suso, Piatek, Calhanoglu… Cilësitë e Suso janë të padiskutueshme. Kritikat ndaj tij kanë qenë të ashpra dhe mbase nuk është i qetë. Sigurisht, ai nuk mund të luajë në rolin e mesfushorit-sulmues, por situatat e krijuara te Milani kanë pasur ndikimin e tyre. Conti është, gjithashtu, në të djathtë. Tani për tani, nën nivelin e tij, edhe ai”.

Zaccheroni do t’i jepte një shans tjetër Lucas Paquetá, i cili tani është lënë mënjanë nga trajneri kuqezi: “Ai më duket se është një djalë shumë i ndjeshëm, që duhet të mbështetet. Dhe pastaj ka situata të tjera; një krah i majtë, në të djathtë…, vështirë për të luajtur mirë. Nuk mund ta hedh poshtë Paquetà, sepse më duket se nuk e kam parë kurrë në vendin e tij”. Ardhja e Zlatan Ibrahimovic është thelbësore, edhe nëse kushton përfundimisht largimin e Krzysztof Piatek: 

“Ai ka karizëm, është tipi që u thotë shokëve të skuadrës: më pasoni topin dhe unë do të kujdesem për të. Natyrisht, nuk mund të përshtatej me Guardiolën, sepse tiki-taka nuk është për të. Zlatan heq presionin e skuadrës. Sigurisht, dikush do të sakrifikohet. Nëse keni Ibrahimovic në fushë, Piatek nuk mund të luajë. Është një duet sulmuesish, që nuk do të funksiononte”.

Pyetja përfundimtare: deri ku mund të shkojë ky Milan? Zaccheroni përgjigjet: “Cilësitë për të arritur të paktën në “Europa League” janë aty, por skuadra është e re dhe i nevojitet kohë. Të gjithë e dinë mirë se fanella e Milanit peshon më shumë se gjithë të tjerat, mos më pyesni përse. Milani tani duhet të mendojë për rritjen. Pjesa tjetër do të vijë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit