Suso bëri profetin, e parashikoi fundin e hidhur ndaj Juventusit

11 Nëntor 2019
9:07
Alfred Lleshi
back button

Milani i Piolit me siguri ka luajtur ndeshjen e tij më të mirë të sezonit në Serie A, deri tani. Jashtë Cristiano Ronaldo, brenda Dybala dhe supersfida u vendos nga argjentinasi. Ka mjaft keqardhje për kuqezinjtë, të cilët nuk arritën ta mposhtnin Szczesny dhe Juventusin. Milani krijoi më shumë shanse, por nuk arriti t’i shfrytëzojë. Meritë të padiskutueshme ka edhe portieri bardhezi, që evitoi gola të sigurt. I vetëdijshëm se si skuadra e tij ka “abuzuar” me mundësi tepër të volitshme për shënim, Suso tha në fund të pjesës së parë se ishte i zhgënjyer. Dhe u tregua pothuajse profet. Për “Sky Sport”, pas 45 minutave të para, spanjolli pohoi plot keqardhje shpërdorimin e të tijve, duke shtuar si i druhej cinizmit të bardhezinjve: “Ne kishim dy mundësi të arta dhe duhet të shënonim, sepse në fund mbase shkon keq loja kundër Juventusit…”

Sidoqoftë, ishte një provë e shkëlqyer për ta ngritur kokën. Loja e Milanit mori përgëzime nga të gjithë. Duhet pasur parasysh se marrja e pikëve në “Allianz Stadium”, qoftë edhe vetëm një, konsiderohet thuajse e pamundur për cilindo. Qoftë edhe barazimi në fushën e Juventusit do t’i jepte gjallëri të re një grupi qartësisht në vështirësi, me vetëm katër pikë mbi vendin e tretë, nga fundi i klasifikimit aktual. A do të jetë e mjaftueshme performanca e mirë ndaj Juventusit për ta ndryshuar situatën? Të presim e të shohim, jemi sy e veshë nga kuqezinjtë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit