Supersfida e së dielës, ose dueli Klopp-Guardiola në “skanerin” e Capellos

9 Nëntor 2019
12:00
Alfred Lleshi
back button

“Anfield” do të veshë rrobat e tij më të mira këtë të diel, nga ra 17:30, për ta pritur si duhet Pep Guardiolën dhe të besuarit e tij. Gjashtë pikë avantazh ka Liverpool karshi “qytetarëve” në renditjen aktuale, para përplasjes së parë direkte të këtij sezoni. Ky fakt, por jo vetëm, edhe “loja” deklarative e dy trajnerëve para mediave, e bën tejet të nxehtë këtë ballafaqim. Nëse Guardiola thumboi Mané dhe shokët e tij, se simulojnë shumë, Klopp u përgjigj shpejt, duke mbrojtur nxënësin e tij: “Nuk jam në humor të flas për Manchester City”. Tani është Fabio Capello, që i vendos pikat mbi “I”, duke u ndalur te gjërat më pikante të palëve.

“Klopp ka arritur diçka magjike për mua. Atmosfera e “Anfield” është fantastike, ekipi pasqyron ndjenjat e tifozëve, – deklaroi ish-trajneri i Real Madridit, ndër të tjera, dhe i Anglisë për “Sky Sports”. – Lidhja midis skuadrës, Klopp dhe tifozëve është diçka unike”. Ndërsa qasja e Guardiolës ndaj futbollit ka një vizion tjetër, në sytë e italianit: “Pep është ndryshe. Unë mendoj se e bën skuadrën të luajë sikur të ishte në një teatër. Shfaqja është shumë e mirë, por është si të shkosh në teatër”.

Reflektimi i Capello nuk është një sulm ndaj ndonjërit prej atyre që përmenden, por përshkrim i konceptit të futbollit, që ata kanë. Të dy trajnerët janë mbrojtës dhe eksponentët më të mëdhenj të filozofisë “gegenpressing”, një koncept i përkufizuar në mënyrë të përkryer nga gjermani: “Koha më e mirë për të rikuperuar topin është menjëherë pasi ekipi juaj e ka humbur atë”. Deklaratat e Capello adhurojnë zjarrin e një feste që, përkundër përpjekjeve të Klopp dhe Guardiolës për t’u qetësuar para ndeshjes direkte, do t’iu japë të dyve mundësinë e të folurit për ditë të tëra, siç kanë bërë që javën e kaluar. 

Nëse vendasit fitojnë, nëntë pikë avantazh dhe një ekip me vazhdimësi pozitive aq të rregullt sa Liverpool, duket një pengesë shumë e vështirë për t’u kapërcyer nga “qytetarët”. Nga ana tjetër, nëse Manchester City do të jetë fituesi, Premier League do të ndizet “zjarr”, sa i takon kreut dhe garës për titull. “Anfield” do ta ketë fjalën kësaj here…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit