Sezon i mallkuar për Golden State, ylli i ekipit thyen dorën

31 Tetor 2019
12:52
Telesport
back button

Përveç humbjes në fushë ndaj Phoenix edhe një tjetër lajm i keq ka shoqëruar ditën e sotme skuadrën e Golden State Warriors. Nënkampionët e NBA-së rrezikojnë të mos kenë për një periudhë të gjatë yllin e këtij ekipi, Stephen Curry. Në fillimin e periodës së tretë, 3 herë kampioni i NBA-së ka dëmtuar dorën.

Mediat amerikane bëjnë me dije se bëhet fjalë për një frakturë, por lojtari do të kryejë edhe një rezonancë magnetike, për të mësuar më tej shkallën e dëmtimit dhe sa kohë do të mungojë. Të gjithë shpresojnë që lojtari të evitojë ndërhyrjen kirurgjikale dhe të kryejë një terapi intensive.

Incidenti ndodhi në momentin që Curry po depërtonte në koshin e Phoenix, kur mbi trupin e tij ra e gjithë pesha trupore e australianit Aron Baynes. Dora e Curry mbeti poshtë trupit të Baynes dhe ylli i NBA-së doli menjëherë nga fusha (Curry nuk pranoi të kryente gjuajtjet e lira) dhe nuk u rikthye më.

Ky dëmtim ndërlikon edhe më tej sezonin 2019-2020 të Warriors, që deri më tani kanë arritur vetëm një fitore, duke e nisur keq kampionatin. Te skuadra e Golden State mungon edhe Klay Thompson, i dëmtuar në maj të sezonit të kaluar dhe i operuar në gju.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit