Rritet bilanci i tragjedisë, 9 viktima pas aksidentit të helikopterit të Kobe Bryant

27 Janar 2020
8:24
Telesport
back button

Shkon në 9 numri i viktimave të aksidentit ajror, ku humbi jetën legjenda e NBA-së, Kobe Bryant. Mediat amerikane bëjnë me dije se në helikopterin ku udhëtonte Bryant ishin edhe 8 persona të tjerë, përfshi edhe vajzën e tij Gianna. Të gjithë kanë humbur jetën nga ky aksident fatal.

Sipas një hetimi paraprak, mësohet se mjegulla e dendur ka qenë shkaktar i aksidentit edhe pse ky version ende nuk është zyrtar. Policia e Los Anxhelosit bën me dije se kishte lëshuar një urdhër ditën e diel që asnjë helikopter të mos fluturonte për shkak të mjegullës së dendur, duke ulur edhe helikopterët e saj të patrullimit.

Fansat ndezin qirinj per Bryant

Përveç Kobe Bryant dhe vajzës së tij mësohet se në helikopter ka qenë edhe John Altobelli, trajner bejzbolli, së bashku me bashkëshorten Keri dhe vajzën e tyre Alyssa. Në helikoper ndodhej edhe Xhristina Mauser, asistentja e Kobe Bryant si dhe një pilot. Ende nuk dihen emrat e dy viktimave të tjerë.

Policia ka shtuar se rikuperimi i trupave është i vështirë dhe do të duhen disa ditë, pasi përplasja ka ndodhur në një zonë ku nuk ka rrugë automobilistike. Ndërkohë që pjesët e helikopterit janë përhapur në zona të ndryshme. Në hetim po merr pjesë edhe FBI.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit