Ronaldinho sponsorizon 18-vjeçarin: Ai më kujton Ronaldon, i denjë për Brazilin

27 Janar 2020
11:12
Alfred Lleshi
back button

Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldinho, sheh ngjashmëri midis Gabriel Martinelli dhe Ronaldos (Fenomenit), ndërsa e inkurajon “adoleshentin” e Arsenalit që të vazhdojë në rrugën e nisur. 18-vjeçari bëri kërcimin e madh nga niveli i poshtëm i futbollit brazilian në Premier League, verën e kaluar. Ai ka shënuar 10 gola në 21 ndeshje të luajtura në të gjitha garat. Talenti ka dalë në pah, edhe pse gjatë një sezoni të vështirë për “Topçinjtë”.

Kur flitet për shokun e tij të skuadrës fituese të Kupës së Botës 2002, krahasimet e Ronaldinho janë thuajse inekzistente, por kësaj here e bën një përjashtim: “Ne si brazilianë jemi shumë të entuziasmuar për të ardhmen e tij. Është një gjë të kesh talent, por krejt tjetër të kesh kaq besim në moshën 18 vjeç, – tha Ronaldinho për “Mirror”, duke analizuar bashkatdhetarin e tij. – Ai më kujton Ronaldon, sezonin e parë në Europë, kur shënoi 30 gola dhe njerëzit pyesnin me habi: cili është ky fëmijë 18-vjeçar brazilian? 

Ai e donte topin, vraponte e përplasej me kundërshtarët, nuk kishte frikë, pa marrë parasysh se kundër cilëve lojtarë apo skuadre po luante. Tani shoh një qëndrim të ngjashëm te Martinelli. Ai thjesht dëshiron të jetë në kontakt me topin dhe të shënojë gola. Ronaldo vazhdoi të ishte lojtari më i mirë në botë për vite të tëra. Pikërisht ky, gjithashtu, mund të jetë qëllimi i Martinelli”.

18-vjeçari duhet të presë ende për të debutuar me Brazilin, teksa gjigantët e Amerikës së Jugut mburren me të ngjashmit e tij; Neymar, Gabriel Jesus dhe Roberto Firmino, midis opsioneve të së ardhmes. Ronaldinho këmbëngul se talenti i Arsenalit do të jetë në planet e trajnerit Tite shumë shpejt: “Jam i sigurt se thirrja e tij në kombëtare nuk do të vonojë. Martinelli është gati për këtë eksperiencë. Historikisht, ekipi ynë kombëtar nuk ka qenë kurrë i shqetësuar për moshën. Ronaldo luajti për Brazilin vetëm 17 vjeç. Së fundi, edhe Neymar me Jesus kanë luajtur një rol të rëndësishëm, që kur ishin “adoleshentë”. Nëse keni aftësi dhe talent, atëherë ju do ta merrni mundësinë. Bota mund ta shohë se Martinelli ka talent të pastër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit