Nuk ndalen kritikat ndaj Ronaldos: Të sillet si kampion, respekt për shokët!

12 Nëntor 2019
9:47
Alfred Lleshi
back button

Vendimi i Cristiano Ronaldos për ta lënë fushën i zemëruar në momentin e zëvendësimit (minuta e 55-të e lojës) ndaj Milanit dhe ikja nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes, nuk është përkrahur nga askush. Mendime të ndryshme ka pasur pas episodit në fjalë, por me një emërues të përbashkët: ka nga ata që thjesht e lavdërojnë Sarrin për personalitetin që tregoi, ka të tjerë, sidomos ish-lojtarë e drejtues bardhezinj, që i kërkojnë portugezit një sjellje ndryshe.

Midis këtyre, Nicola Amoruso, i cili luajti për Juventusin në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000. Një lojtar ende i vlerësuar shumë nga tifozët bardhezinj, duke pasur parasysh shtatë trofetë e fituar gjatë karrierës së tij te “Zonja e Vjetër” dhe golat e shënuar në dy finalet e Ligës së Kampionëve, të humbura më 1996 dhe 1997. I intervistuar nga “Radio Bianconera”, Amoruso e “kafshoi gjuhën” disi: “Në ndonjë rast, kritika ndaj tij është e ekzagjeruar, ashtu siç ishte sjellja e tij në momentin e zëvendësimit, në fakt. Ne duhet t’i kërkojmë secilit futbollist, kushdo qoftë ai, respekt për shokët”.

Sidoqoftë, askush nuk dyshon për rëndësinë e Cristiano Ronaldo, një nga lojtarët më të rëndësishëm në histori: “Ai është një lojtar i padiskutueshëm, por tani nuk po kalon formën më të mirë. Ne nuk duhet ta tejkalojmë me kritika, Ronaldo duhet të rifitojë kthjelltësinë fizike dhe mendore”. Për ish-futbollistin në fjalë, Juventusi nuk ka një sulm stabël këtë sezon, ndaj Sarri shpesh po bën rotacion: “Ronaldo duhet të ketë përulësinë e kampionit dhe të kuptojë se ka nga ata, që janë më mirë se ai për momentin. Trajneri duhet të veprojë në të mirë të ekipit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit