“Një atlet, baba dhe mik special”, mesazhi prekës i Beckham për Kobe Bryant

27 Janar 2020
15:44
Denis Hakanaj
back button

Dita e djeshme u kthye një ditë zie për botën e sportit dhe jo vetëm. Lajmi për aksidentin ajror që i shkaktoi vdekjen legjendës së basketbollit, Kobe Bryant dhe tetë njerëzve të tjerë që po udhëtonin me helikopterin e tij ka tronditur botën.

Kanqe të shumtë njerëzit, të famshëm dhe jo, që kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale. Një nga ata ka qenë edhe legjenda e Anglisë, David Beckham, i cili ka postuar sot një mesazh prekës në Instagram.

“Më janë dashur orë për të vendosur se çfarë të shkruaj dhe gjithsesi fjalët e mia nuk do të mjaftojnë kurrë për të përshkruar si ndihem pas humbjes tragjike të Kobe-t”, ka shkruar Beckham.

“Ai ishte një atlet, bashkëshort, baba dhe mik special. Është shumë e vështirë të shkruaj këto fjalë, por edhe fakti se kemi humbur një njeri të mrekullueshëm dhe vajzën e tij të talentuar, Gianna, të thyen zemrën”.  

“Përkushtimi që Kobe ka treguar për sportin e tij ishte frymëzues, të durosh dhimbjen dhe të përfundosh një ndeshje siç vetëm ai mund të bënte, me ka frymëzuar që të mundohem të bëj më mirë”.

“Ndonjëherë, unë shkoja në ndeshje vetëm për të parë dy minutat e fundit, duke e ditur se do të ishim dëshmitarë të diçkaje të veçantë. Kobe fliste gjithmonë për Vanessa-n dhe vajzat e tij të bukura dhe sa krenar ishte për ato. Pasioni i Kobe-t ishte familja e tij dhe basketbolli”.

“Ishte i vendosur të frymëzonte brezat e ardhshëm që të përqafonin sportin që ai dashuronte. Trashëgimia e tij do të jetojë. Dashuria dhe lutjet e familjes sime shkojnë për Vanessa-n dhe vajzat, për familjen e basketbollit të Kobe-t dhe, natyrisht, për familjet e atyre që humbën jetën në mënyrë tragjike… 💛💜”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit