Nga Fergusoni te Sarri, pesë rastet kur Ronaldo shpërtheu ndaj zëvendësimeve (video)

12 Nëntor 2019
13:06
Alfred Lleshi
back button

Paulo Dybala, njeriu i fitores 1-0 të Juventusit kundër Milanit të dielën e justifikoi vendimin e Sarrit për ta zëvendësuar Ronaldon me argjentinasin, megjithëse kjo gjë mund të ketë pasoja në javët e ardhshme. CR7 shkoi drejt e te dhomat e zhveshjes, me fytyrën e ngrysur, duke injoruar trajnerin dhe shokët e skuadrës. Në Italia thonë se portugezi u largua nga stadiumi tre minuta para mbarimit të ndeshjes. Vetë trajneri bardhezi tha pas ndeshjes se do të shqetësohej nëse Ronaldo nuk do të shqetësohej. Por, meqë Dybala hyri si zëvendësues dhe shënoi golin e fitores, ndikimi i 34-vjeçarit po vihet në dyshim.

Ronaldo nuk zëvendësohet shpesh, ndaj përbën menjëherë çështje, kur ndodh e kundërta. Nuk ka ndonjë trajner, që do ta zëvendësojë një golashënues pjellor si ai, por kur e bën, nuk ngjan bukur. Sarri, në të vërtetë, e zëvendësoi dy herë brenda javës, ndaj Lokomotiv në Moskë dhe kundër kuqezinjve, në Torino. Ronaldo nuk ka arritur asnjëherë ta fshehë zemërimin e tij për largimin nga fusha, në raste zëvendësimesh, kudo ku ka luajtur. Ne po rendisim pesë raste, në të cilat ka shpërthyer në një mënyrë apo tjetër, pasi është zëvendësuar nga trajneri përkatës.

Man United-Man City | 2009
Portugezi u zemërua, pasi Sir Alex Ferguson e zëvendësoi atë në derbin e Manchesterit, më 2009. Ai reagoi me tërbim e gjeste, para se të merrte vendin në stol, ku u ul dukshëm i mërzitur.

Real Madrid-Palmas | 2016
Ronaldo u ul në stol për Lucas Vazquez, në momentin që Real Madridi po fitonte 21- ndaj Las Palmas, më 2016. Ai doli nga fusha me sytë poshtë dhe nuk pranoi t’i kryqëzonte shikimet me trajnerin Zinedine Zidane. Sipas një stacioni televiziv spanjoll, Ronaldo tha: “Pse unë? Unë bëj gjithçka për ta bërë rezultatin 2-1…!” Më keq do të ndodhte për Zidane dhe “Los Blancos”, sepse Las Palmas barazoi më vonë.

Real Madrid-Levante | 2018
Real Madrid po udhëhiqte 2-1 ndaj Levante, kur Zidane vendosi të hidhte në fushë Marco Asensio në vend të Ronaldos, tetë minuta nga fundi i lojës. Edhe një herë, sulmuesi portugez nuk e priti mirë vendimin e trajnerit të tij, por e nxori inatin me kameramanin, pasi vuri re se po filmohej prej tij në pankinë: “Përqendrohuni te loja, mos më filmo mua, fokuso ndeshjen”. Zidane u pendua përsëri për vendimin e tij, sepse Levante barazoi në minutën e 89-të.

Juventus-Lokomotiv Moska | 2019
Sarri e tërhoqi nga fusha Ronaldon në minutën e 81-të të ndeshjes së Champions-it kundër Lokomotiv Moska, mesjavën e kaluar. “Zonja e Vjetër” po vuante në atë kohë, rezultati ishte barazim 1-1, gjë që e detyroi Sarrin të hidhte një forcë të freskët, si Douglas Costa. Pra, guxoi dhe uli në stol kryegolashënuesin kryesor në historinë e Ligës së Kampionëve. Në fakt, Douglas Costa shënoi golin e fitores dhe kualifikimit pak më vonë, për ta shpëtuar trajnerin bardhezi nga kritikat. Ronaldo, megjithatë, nuk ishte i kënaqur.

Juventus-Milan | 2019
Fakti që u zëvendësua dy herë në hapësirën prej pesë ditësh, kurrë nuk do t’i rrinte mirë Cristiano Ronaldos. “Sky Italia” raportoi se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” iku nga “Allianz Juventus” tre minuta para orarit mbarimit të ndeshjes, pasi u zëvendësua nga Dybala në pjesën e dytë, minutën e 55-të, të dielën. Juventusi e mundi 1-0 Milanin, Dybala shënoi golin e fitores, duke shpëtuar trajnerin nga kritikat e pritshme. Sarri tregoi për herë të dytë radhazi se nuk ka frikë ta zëvendësojë yllin portugez, kur është fjala për të mirën e ekipit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit