Bologna festoi të shtunën fitoren në derbin kundër SPAL, një sukses që i largoi kuqeblutë 12 nga zona e mbijetesës dhe i la vetëm 4 pikë nga zona e “Europa League”. Me Sinisa Mihajlovic, natyrisht, të ulur në stol. Ditët e ardhshme, megjithatë, skuadra e Serie A do të duhet të bëjë pa trajnerin e vet serb, me të vërtetë një vlerë e shtuar. Tekniku është rikthyer në spital, ku do të duhet t’i nënshtrohet terapisë antivirale.
Ja njoftimi i Bologna: “Mihajlovic u shtrua në spital këtë mëngjes, në Institutin e Hematologjisë “Seràgnoli”, për t’iu nënshtruar terapisë antivirale, e cila është e nevojshme. Zyrtarët shëndetësorë besojnë se kohëzgjatja e qëndrimit në spital duhet të jetë më e shkurtër se ajo e mëparshme”. Kujtojmë se më 29 nëntor, trajneri serb ishte kthyer në “Casteldebole” për të udhëhequr stërvitjen e ekipit të tij.
Që atje, Mihajlovic dhe të tijtë kanë grumbulluar 14 pikë në 8 ndeshje. Tani, për disa ditë, Orsolini dhe shokët e tij do të duhet të bëjnë sërish pa të. Trajneri serb u diagnotiskua me sëmundje të rëndë, leuçemi; iu nënshtrua kimioterapisë dhe thuhet se e ka fituar betejën e parë. Megjithatë, lufta me një sëmundje të tillë është e vështirë dhe e gjatë, kërkon rregullisht kontrolle mjekësore e shtrime në spital.