Memolla vendos kandidaturën: Po, jam gati për 3-5-2 e trajnerit

12 Nëntor 2019
13:53
Alfred Lleshi
back button

Hysen Memolla dhe Florian Kamberi kanë dalë sot në mesditë në konferencë për shtyp, nga rezidenca kuqezi në Durrës. I pari nuk i ka pasur emocionet e debutimit si i dyti, megjithatë nuk ka spikatur më shumë se sulmuesi i Hibernian me shqipen e folur. Megjithatë, ata flasin me gjuhën e futbollit, janë të përqendruar te fusha e blertë dhe duan të japin më të mirën për ngjyrat kuqezi. Memolla nënvizoi mes të tjerash:

“Kualifikimi i pamundur? Ne kemi objektivat tanë. Ndoshta ka mbaru, ndoshta jo. Duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje, të kemi përqendrim 100 për qind ndaj cilitdo kundërshtari. Mund të jetë Franca, Greqia apo Andorra përballë nesh, por vlerësimi nevojitet të jetë përherë maksimal. Një shans kundër Andorrës? Unë stërvitem në maksimum, pastaj e ka në dorë trajneri, nëse më shikon si preferencë në krahun e majtë. Jap gjithçka për kombëtaren, aty ku e kërkon trajneri.

Konkurrenca është gjë e mirë, sepse mund të japësh edhe më shumë në stërvitje. Konkurrenca të zhvillon personalisht dhe si ekip. Sa më shumë të jemi për një pozicion, aq më mirë. Unë, Lenjani dhe Trashi mund t’i japim një dorë të rëndësishme ekipit kombëtar në të majtë. Trashi shënoi edhe gol? Të gjithë lojtarët shpresojnë të shënojnë. Kjo është e mirë, por së pari fokusohem që të jap 100 për qind për ekipin, të marrim rezultat si ekip. 

Nëse shënoj dhe humbet kombëtarja, kjo nuk ka interes për mua. Nëse shënoj dhe fitojmë, ku ka më mirë. A gjej vend në skemën 3-5-2, që përdor trajneri Reja? Nuk kam luajtur shumë ndeshje me këtë modul, por po stërvitem. Besoj se mund të luaj edhe në këtë skemë. Kam luajtur një herë me Panuccin dhe një herë tjetër te Salernitana. Po, mund të përshtatem me këtë modul, nuk përbën problem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit