Ky është mallkim, Kosova goditet rëndë para ndeshjes me Çekinë

12 Nëntor 2019
14:11
Alfred Lleshi
back button

Kosova merr një goditje të rëndë para ndeshjes kualifikuese në grup, që do ta luajë në fushën e Republikës Çeke më 14 nëntor. Bomberi i fuqishëm i “Dardanëve”, që po spikat edhe te Fenerbahce në Turqi, nuk mund t’i ndihmojë “Dardanët” në këtë sfidë tepër të rëndësishme për kualifikimin në grup, ndaj rivalit të drejtpërdrejtë për vendin e dytë, duke konsideruar se Anglia është para të tjerëve për “Euro 2020”. Ka qenë vetë FFK, ajo që e ka konfirmuar këtë lajm vërtet të keq: 

“Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen. Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këtë ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve mjekësore të bëra dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër, ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundur të ndodhë. Për çdo ndryshim eventual në gjendjen e futbollistit do t’iu informojmë me kohë”.

Kujtojmë se 24-vjeçari ka shënuar 4 gola për Kosovën në këtë fushatë eliminatoresh, gjatë 540 minutave lojë aktivizim. Kombëtaret e ndëshkuara nga “bisha” e sulmit të Bernard Challandes janë Mali i Zi, Anglia, Bullgaria dhe Republika Çeke. Aktualisht, dy ndeshje nga fundi, kreun e grupit A e mban Anglia me 15 pikë, e ndjekur nga Çekia me 12 pikë dhe pastaj Kosova, e treta, me 11 pikë. Pra, sikurse duket, përplasja e dy ndjekësve të “Tre Luanëve” është tepër e rëndësishme për kualifikim. Betejën e fundit, “Dardanët” e kanë në shtëpi me Anglinë, më 17 nëntor.    

Lajme të tjera

Lajmet e fundit