Kaos te Napoli, lojtarët dalin kundër presidentit. Ancelotti i mbështet

6 Nëntor 2019
11:05
Alfred Lleshi
back button

Një mbrëmje në dukje e qetë u shndërrua në një “stuhi” nga lojtarët e Napolit, protagonistë të një vendimi të pashembullt kundër presidentit De Laurentiis. Ata e ndërprenë vullnetarisht “regjimin e kazermës”, që kishte vendosur klubi deri të dielën, si ndëshkim për serinë e rezultateve negative në kampionat. Në prag të ndeshjes kundër Salzburgut dukej njëfarë tensioni, humori i keq për atë vendim, që konsiderohej i padrejtë nga lojtarët, duke filluar me trajnerin Carlo Ancelotti, i cili e kishte fshehur mospëlqimin e tij në konferencën për shtyp.

Kjo lëvizje e fortë dhe e papritur shkaktoi momente tensioni në dhomën e zhveshjes së “San Paolo”, ku Edoardo De Laurentiis (djali i presidentit) u informua nga ekipi për vendimin e moskthimit në “Castelvolturno”. Kjo është ajo që lojtarët thanë njëzëri, e raportuar nga “La Repubblica”: “Ne po kthehemi në shtëpitë tona, tregoji babait tënd…” Aurelio De Laurentiis kishte dalë tashmë nga stadiumi, pa e takuar ekipin, i mërzitur nga barazimi 1-1 me austriakët në shtëpi. Kësisoji, një gjobë e majme mund të vendoset për lojtarët, ndërsa Ancelotti nuk doli fare në konferencë për shtyp, duke e ditur se duhej të përgjigjej për këtë thyerje të urdhërit të presidentit. 

Po ashtu, gjobë pritet edhe nga UEFA për mosparaqitjen e asnjë përfaqësuesi të Napolit para gazetarëve, mbas ndeshjes. Kalidou Koulibaly shprehu mendimet e tij në Twitter, pa referenca të sakta për kaosin që po prek shokët e tij të skuadrës: “Ne kemi dashur të fitojmë. Për këtë fanellë dhe për tifozët tanë, unë do të jap gjithçka, gjithmonë. Është një moment i vështirë, që unë do ta kapërcej”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit