Ish-presidenti i Realit: Zemërimi i CR7 është normal, Capello gaboi me të

12 Nëntor 2019
15:37
Alfred Lleshi
back button

Në Itali po diskutohet ende për sjelljen e Cristiano Ronaldos në momentin që Sarri e zëvendësoi ndaj Milanit. Largimi direkt për në dhomat e zhveshjes dhe ikja nga stadiumi pa mbaruar loja u shoqërua me shumë kritika për portugezin. Sidoqoftë, nuk do të ketë gjobë për të nga Juventusi. Ramón Calderón, ish-presidenti i Real Madridit, në një intervistë për “Calciomercato.it”, pasi kujtoi operacionin që e çoi CR7 në “Bernabeu”, (ishte një negociatë që zgjati dy vite), komentoi atë që ndodhi të dielën në Juventus-Milan: “Reagimi i tij është shumë normal, futbollistët e mëdhenj nuk duan kurrë të largohen nga fusha. Mbaj mend që me Ronaldo Nazario ndodhi e njëjta gjë. Unë kërkova të ishte startues edhe në miqësore”.

Ish-presidenti i “Los Blancos” pajtohet me “Zonjën e Vjetër” për të mos marrë masa disiplinore ndaj yllit luzitan: “Klubi duhet të flasë me lojtarin, ta lërë të qetësohet dhe të mos marrë kurrë vendime të nxehta. Është më mirë të kuptoni situatën dhe pastaj t’i sheshoni me qetësi problemet, që ato të mos përsëriten”. Për Calderón, “ndarja ishte një gabim si për Real Madridin, ashtu për Cristiano Ronaldon. Klubi madrilen besonte se portugezi ishte në fundin e karrierës së tij dhe se askush nuk do të paguante 100 milionë euro”.

Mbi deklaratat e fundit të Fabio Capello (Cristiano nuk ka dribluar askënd në tri vitet e fundit), me të cilin ish-presidenti i bardhë ka një lidhje të veçantë, ai tha: “Fabio është një njeri i apasionuar, gjithmonë thotë atë që mendon. Unë kam dashuri të madhe për të, kemi fituar një kampionat të mrekullueshëm bashkë. Duke e njohur atë, po të ishte në vend të Sarrit, do të ishte zemëruar shumë. Sidoqoftë, nuk jam dakord me të në këtë rast. Cristiano ishte protagonist në sezonin e fundit dhe ka të paktën tri vite të tjera përpara, në të cilat do të luajë në nivelin më të lartë”.

Në fund, Calderón lavdëroi Maurizio Sarri, i cili do të bënte mjaft mirë edhe në stolin e Real Madridit: “Më pëlqen si trajner. Juve bëri mirë që e mori nga Anglia. Ai do të fitojë një tjetër kampionat dhe do të jetë kandidat serioz për Ligën e Kampionëve. Çdo klub i shkëlqyeshëm do ta dëshironte një trajner të tillë, edhe Real Madridi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit