Golashënues në pesë kontinente, bomberi spanjoll tërhiqet nga futbolli

13 Nëntor 2019
11:42
Alfred Lleshi
back button

David Villa tërhiqet nga futbolli. Golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrës kombëtare spanjolle i “var këpucët në gozhdë”. Nga Japonia, vendi ku po konsumon hapat e fundit si futbollist, 38-vjeçari ka njoftuar “pensionimin” në fund të këtij sezoni: “Doja të bëja me dije tërheqjen nga futbolli në fund të këtij sezoni”. Spanjolli organizoi një konferencë shtypi lamtumire me këtë rast. Sulmuesi i jep fund karrierës me një “thes golash” të shënuar dhe “palmaresin” e mbushur me tituj. 

Vila ka qenë një futbollist total. Ai e filloi karrierën në Tuilla, qytetin që kurrë nuk ia ktheu shpinën. Startoi te Sporting, shpërtheu te Zaragoza dhe u “shenjtërua” te Valencia. Pastaj, titujt më të rëndësishëm i fitoi me Barcelonën dhe Atlético Madrid. Më vonë u bë pjesë e futbollit australian dhe të SHBA. Hapat e fundit të karrierës po i hedh në Japoni, ku ka vazhduar të shënojë.

Kampion Bote dhe Europian, Villa ka nderin të jetë golashënuesi më i mirë në historinë e “La Roja”, me 59 gola. Një referencë e pashtershme e futbollit spanjoll, që ka vijuar të shënojë në një nivel të mjaftueshëm thuajse deri në moshën 40 vjeç. 19 vitet në elitë e kanë bërë atë një referencë botërore si bomber, i aftë të shënojë gola në pesë kontinente. Në katër prej tyre e bëri këtë me klubet e tij, në tjetrin (Afrikën e Jugut) me Spanjën, në momentin më të mirë të historisë së futbollit spanjoll.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit