EKSKLUZIVE: Katër vite mes tekave dhe mendjemadhësisë, Xhaka mendon tërheqjen!

13 Nëntor 2019
12:21
Anton Cicani
back button

Mbrëmja e 14 tetorit të vitit 2014 është ende në kujtesën e gjithë shqiptarëve, ku në stadiumin “Hum” të Beogradit, teksa po luhej Serbi-Shqipëri, një dron të shkaktonte një ndër trazirat më të mëdha që janë parë në ndeshje mes kombëtaresh në kompeticion zyrtar dhe eliminatore…

Në fushë, me kuqezinjtë, atë natë tmerri, ishte edhe ai, Taulant Xhaka, që u përball me kundërshtarët dhe nuk u frikësua për jetën e tij, duke i sfiduar dhe duke ruajtur simbolet kombëtare (flamuri që mbante droni)… Kanë kaluar 5 vite nga ajo ditë dhe guximi i mesfushorit të Basel vazhdon edhe sot të jetë një krenari për të gjithë ne, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sjelljet e vazhdueshme tekanjoze të Xhakës!

Episodi i fundit dhe ndoshta ai që do të mbyllë aventurën kuqezi të Taulant Xhakës me kombëtaren e Shqipërisë, të paktën sa të jetë Edoardo Reja në drejtim të saj, ndodhi pikërisht ditën e hënë. Teksa trajneri e priste në grumbullim dhe FSHF kishte prerë edhe biletën e avionit nga Zvicra për në aeroportin e Rinasit, një “dëmtim misterioz” do të ndalonte Xhakën të udhëtonte.

“Kam pësuar dëmtim në ndeshjen e fundit dhe nuk jam në gjendje të mirë fizike!”. Një fjali “e detyruar”, sepse Xhaka e ndjeu veten të fyer për trajtimin që po i bëhet. Nga titullar i padiskutuar në rezervë. Alternativë “C”, një fakt që nuk i ka pëlqyer aspak Taulantit, i cili madje miqëve, sipas asaj që ka mësuar “Telesport”, u ka referuar se po mendon të mos vijë më në kombëtare sa të jetë trajneri Edoardo Reja.

Ky i fundit e futi në listë pritje që grumbullimin e shkuar, duke irrituar jo pak Xhakën, që nga i pazëvendësueshëm e kuptoi se ishte kthyer thjesht në një alternativë dhe asgjë më shumë. Por, Reja ndoqi vetëm politikën e dikurshme të Christian Panuçit, edhe pse ky i fundit e nisi me dorë të hekurt dhe më pas u dorëzua… Xhaka e injoroi dhe nuk i doli as në takim kur ish-trajneri kuqezoi shkoi ta takonte në Zvicër. Sinjali i parë se futbollisti kishte nisur të mendonte se mund të vendoste fatin e tij sipas qejfit.

E irrituar me sjelljen e tij edhe FSHF, por që u mundua të zbuste pak situatën. Shkëndija që dikur i hasi edhe Gianni de Biasi, kur Xhaka u largua nga hoteli sepse nuk luajti ndeshjen e tij ndaj Italisë.Një situatë tragjikomike te kombëtarja. Një telenovelë tashmë që po arrin drejt fundit, sepse trajneri Reja po mendon seriozisht ta heqë edhe nga lista e pritjes grumbullimet e tjera që do të bëjë, nëse do të konfirmohet në stolin kuqezi. Dhe, në këtë sens, FSHF i ka dhënë “Ok”: “Bëj çfarë të duash me të! Për ne, ky kapitull është i mbyllur”. Madje, historia e tij, nëse rrumbullakoset, është edhe hatërmbetja e zëvendësimit te ndeshja Zvicër-Shqipëri 1-0, Euro 2016, në Lens! 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit