E zbulon Wenger: Arsenali u përpoq t’i merrte të tre; Pique, Fabregas dhe Messi

11 Nëntor 2019
9:40
Alfred Lleshi
back button

Arsene Wenger e ka pranuar se Arsenali, në një moment u përpoq të nënshkruante me Gerard Pique dhe Lionel Messi, për të kompletuar kësisoji blerjen e mesfushorit Cesc Fabregas. Spanjolli mbërriti në “Emirates” në vitin 2003. Ai ishte rritur në akademinë e Barcelonës dhe u bë një figurë kryesore si futbollist për “Topçinjtë”, gjatë disa sezoneve. Pasi pa që Fabregas pati sukses me Arsenalin, klubi londinez e ktheu vëmendjen nga dy të rinjtë e tjerë të akademisë katalanase.

Ndërsa Wenger nuk detajoi se kur “Topçinjtë” u përpoqën të nënshkruanin me Messi dhe Pique, ai zbuloi se klubi kishte ambicie të larta për t’i kontraktuar të tre në një moment. “Ne u përpoqëm, por nuk ishim afër nënshkrimit të Messit, – tha francezi për “beIN Sports”. – Po, po, është e vërtetë: ne u përpoqëm të nënshkruanim me të tre njëherësh; Pique, Fabregas dhe Messi. Natyrisht, e bëmë tonën, por Messi ishte bërë tashmë shumë i madh në atë kohë. Mos harroni vitin 2006, kur luajtëm finalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës: Messi nuk mund të luante, sepse u lëndua. Kjo ndodhi 13 vite më pare, kur ai ishte tashmë një lojtar i rregullt i ekipit të parë. Ajo që ka bërë ky djalë është e pabesueshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit