E përndjek hija e Mourinhos, vjen përgjigjja e Emery për portugezin

7 Nëntor 2019
10:17
Alfred Lleshi
back button

Unai Emery përsëriti se është ai trajneri i Arsenalit, ndërkohë që zërat mediatikë flasin për një “flirt” mes klubit londinez dhe Jose Mourinho. Spanjolli është kryqëzuar javët e fundit, pasi të tijtë kanë vuajtur si brenda Anglisë, edhe në Europë. Të mërkurën, Arsenali doli me barazimin 1-1 ndaj Vitoria në “Europa League”. Rezultati u shoqërua me një lojë të dobët, si të kohëve të fundit. Kujtojmë se skuadra e Londrës veriore ka fituar vetëm njërën nga gjashtë ndeshjet e saj të fundit, në të gjitha garat.

Mourinho, ndërkohë, mbetet pa punë që kur u shkarkua nga Manchester United në dhjetor 2018. Mediat angleze shkruan se ai, së fundi ishte takuar me kreun e Arsenalit, Raul Sanllehi, në lidhje me zëvendësimin e Emery. Klubi londinez, që atëherë nuk i ka hedhur poshtë këto zëra. Ish-trajneri i Sevilla u pyet për portugezin, pas barazimit në Guimaraes. Ngacmimit se mund të zëvendësohej nga Mourinho, spanjolli iu përgjigj me shpejtësi, duke thënë: “Unë jam trajneri”.

Presioni do të vazhdojë të rritet mbi Emery, pas barazimit të Arsenalit të mërkurën. Vetë trajneri i “Topçinjve” mundohet të mos e dramatizojë situatën: “Në këtë kompeticion (Europa League), objektivi ynë është të jemi të parët në grup. Do t’i luajmë me përqendrim të madh në dy ndeshjet e ardhshme për t’u siguruar që të jemi në atë pozicion. Sonte kemi luftuar kundër një ekipi me një organizim të fortë. Kur bëmë më të vështirën, shënuam një gol, ata na barazuan në fund. Është pak zhgënjyes ky rezultat, por jemi të parët në grup. Duam ta konsolidojmë këtë pozicion në ndeshjet e ardhshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit