Dortmund i hedh benzinë zjarrit, i kujton kohët e vështira Aubameyang-ut

6 Tetor 2019
15:26
Denis Hakanaj
back button

Borussia Dortmund ka vendosur t’i përgjigjet Pierre-Eemerick Aubameyang.

Sulmuesi i Arsenal-it është sulmuar nga administratori i deleguar i verdhezinjve, Hans-Joachim Watzke, i cili ka thënë para ndeshjeve të Champions League:

“Ndoshta është i kënaqur me llogarinë e tij në bankë, por ne luajmë në Champions League dhe ai e shikon nga divani i tij”.

Një deklaratë kjo që ka shkaktuar reagimin e ashpër të Aubameyang, i cili e ka përkufizuar Watzke-n si një “kloun”, duke shtuar se është më mirë bota të mos i dijë prapaskenat e lamtumirës së tij nga Borussia Dortmund.

Tani ka ardhur kundërpërgjigja drejtorit sportiv të Borussia-s, Michael Zorc, i cili ka thënë: “Besoj se Aubameyang ka ekzagjeruar me deklaratat që ka bërë. Në fund, Watzke nuk ka thënë asgjë të keqe dhe nuk donte të ofendonte asnjeri”.

Klubit nuk i kanë pëlqyer as fjalët e thëna nga Aubameyang në lidhje me çështjen Dembele. “Duam të kujtojmë se në periudhën e kaluar këtu, Aubameyang ka patur të gjithë mbështetjen e klubit edhe në momentet më të vështira”.

“Edhe për këtë nuk e kuptojmë një reagim të tillë, kaq të dhunshëm dhe të ekzagjeruar. Dhe nuk e di se për çfarë flet, duke parë se të gjithë i njohin detajet e çështjes dhe nuk jemi penduar për asgjë”.

Topi i kalon përsëri sulmuesit, i cili duhet të vendosë nëse do ta vazhdojë ose jo këtë polemikë. Gjithsesi, përshtypja është se kjo telenovelë sapo ka filluar…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit