Derbi i Madridit apo…? Zidane cakton “kufirin” për rikthimin e Hazard

27 Janar 2020
12:46
Alfred Lleshi
back button

Java e derbit të Madridit fillon sot, teksa ka pikëpyetje me rëndësi, që presin përgjigje. Mes tyre duhet të sqarohet edhe situata e Eden Hazard, nëse do të bëhet gati për lojë apo jo. Belgu nuk u stërvit as këtë të hënë me grupin, por vazhdon të rrisë kontaktin e tij me topin. Një shenjë e mirë, por që nuk garanton pjesëmarrje në supersfidën kundër Atlético Madridit (të shtunën, ora 16:00). Ndjenjat e Hazard kanë qenë më të mira që nga java e kaluar, veçanërisht që pas dëmtimit të pësuar më 26 nëntor kundër PSG. Duke qenë se bëhet fjalë për një blerje të shtrenjtë, askush në “Bernabeu” nuk dëshiron të marrë përsipër ndonjë rrezik. 

Gjasat janë që nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e klubit të bardhë të mos bëhet gati as për derbin e kryeqytetit spanjoll. Riaftësimi nga dëmtimi vazhdon ende. Hazard kishte 58 ditë pa e prekur topin. Ritakimi i tij me topin ndodhi të premten e kaluar, një shenjë e evolucionit në riaftësimin e tij, megjithatë e pamjaftueshme për të shkurtuar periudhën e mungesës së belgut në fushat e blerta. Pra, trajneri Zidane nuk do ta ketë atë edhe në derbi.

Në fakt, trajneri dhe miku i tij francez nuk ka ndërmend të nxitojë apo të rrezikojë për këtë çështje, por është krejt e kundërta. “Kufiri” i tij në raport me rikthimin e Hazard është një ndeshje tjetër, jo derbi i Madridit. Në horizont është supersfida me Manchester City në Champions, më 26 shkurt. Trajneri dhe shërbimet mjekësore të të bardhëve po punojnë që belgu të jetë gati për atë mbrëmje të rëndësishme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit