“I dashur basketboll”. Ka qenë ky titulli i letrës së lamtumirës nga basketbolli i legjendës së këtij sporti dhe i NBA-së, Kobe Bryant, publikuar në momentin që ai vendosi të largohet nga sporti. “Black Mamba” çelte me këto fjalë letrën ku shprehte dashurinë e tij për basketbollin, sportin që e bëri të pavdekshëm, ku fitoi 5 tituj kampionë në karrierën e tij me Lakers e mjaft tituj e medalje të ndryshme.
Pasi mbylli karrierën (20 vjet me Lakers, 5 tituj kampionë në NBA), Kobe e transformoi letrën e tij të lamtumirës në një film vizatimor për fëmijë, me një mesazh motivues për të rinjtë e sotëm, ku me zërin e tij lexonte tekstin. Film që u prezantua ditën kur Lakers tërhoqën fanellat me numrat 8 dhe 24 të veshura nga Bryant.
Filmi “Dear Basketball” (I dashur basketboll) fitoi vjet çmimin Oskar në kategorinë e filmave vizatimorë me metrazh të shkurtër.