CR7, Balotelli, Lukaku dhe “vëllezërit” e tjerë në zonën e penalltisë: Serie A nis me… 2198 gola

21 Gusht 2019
11:06
Alfred Lleshi
back button

Këtë fundjavë starton sezoni i ri i Serie A. Skuadrat janë në start, gati për të nisur një betejë të gjatë dhe që premton më tepër rivalitet se në vitet e kaluara. Kuptohet, Juventusi është skuadra për t’u mundur dhe zbritur nga froni i kampionit të Italisë, prej nga i shikon të tjerët i distancuar në çdo drejtim. Në një merkato të monopolizuar nga sulmuesit, Cristiano Ronaldo drejton “vijën e parë” me “bomba” të gatshme për të ndezur kampionatin italian. Konfirmimi i Dzeko është një goditje e madhe për Romën, pesha e Interit rritet me Lukakun, Napoli ëndërron me Lozano, Balotelli dhe Piatek në kërkim të një ngritjeje, Immobile, Belotti dhe Zapata tregojnë muskujt e tyre, Quagliarella nis një tjetër sezon për rekorde të reja. Pra, emocioni maksimal në Serie A është i garantuar.

1. Cristiano Ronaldo (Juventus)
Ylli i Juventusit është siguri absolute, falë 601 golave të tij me klubet dhe 88 golave me kombëtaren portugeze. Kjo “magji” para portave kundërshtare dhe trofetë flasin për të. Në sezonin e parë me fanellën bardhezi shënoi 28 gola në 43 ndeshje, fitoi “Scudetto” dhe Superkupën e Italisë, por jo Ligën e Kampionëve, që Juventusi e ndjek prej vitesh. Ai do të provojë sërish këtë sezon, i gatshëm për të qenë vendimtar.

2. Mario Balotelli (Brescia)
Me siguri është basti i madh i këtij sezoni në Serie A. Balotelli te Brescia premton “efekte speciale”, veçanërisht nëse arrin të lërë pas karagjozllëqet, që e kanë penguar karrierën e tij. Ai sjell një pajë me 146 gola për klubet ku ka luajtur dhe 14 gola me kombëtaren italiane. Është pikërisht rikthimi në këtë të fundit, ajo që synon Balotelli përmes ktivizimit në Serie A, me shpresën e një perspektive europiane (Euro 2020). Ndërkohë, ai ka për mision të shpëtojë Brescia.

3. Andrea Belotti
Varet nga kapiteni, që Torino të përmirësojë vetveten në Itali dhe në Europë, mbi të gjitha, nëse do të arrijë të hyjë në fazën e grupeve të “Europa League” (ka akoma Wolverhampton për ta kapërcyer). Për “granata”, ai është thelbësor, jo vetëm për numrat (104 gola me klubet, 5 gola me kombëtaret). Belotti nuk është vetëm një goleador, por edhe një injeksion i vendosmërisë.

4. Edin Dzeko
Duke pasur parasysh se ishte gjithnjë me valixhet gati për zbarkim diku tjetër, qëndrimi te Roma përbën befasi. Konfirmimi i tij ishte goditja më e mirë e verdhekuqve kryeqytetas, siç pranohet nga kapiteni Florenzi. Në të vërtetë, ishte e vështirë të gjesh një sulmues përreth me numra më të mirë se ai (273 gola me klubet, 56 gola me ekipin kombëtar të Bosnjës). Ai mund të jetë udhëheqësi.

5. Ciro Immobile (Lazio)
Hyn në sezonin e katërt te Lazio, me 164 gola të shënuar në karrierë. Më shumë se gjysma e tyre janë shënuar me fanellën bardhekaltër (7 gola me kombëtaren italiane). Në dy sezonet e para e kapërceu pragun e 20 golave në Serie A (23 dhe 29 gola, herën e dytë ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit, së bashku me Icardi). Mjaftueshëm për të qenë siguria e Lazio.

6. Hirving Lozano (Napoli)
Është goditja më e shtrenjtë e epokës së De Laurentiis, ka kushtuar gjithsej 42 milionë euro (midis pjesës fikse dhe bonuseve). Një “tullë” e re në “murin” napoletan, për të provuar të zvogëlojnë distancën me Juventusin dhe fituar kampionatin. Numrat e meksikanit janë këto: 88 gola me klubet dhe 9 gola me kombëtaren, por edhe shumë asiste. 24-vjeçari shënoi 45 gola në 83 ndeshje me PSV, në dy sezone.

7. Romelu Lukaku (Interi)
“Jo keq për një djalë të dhjamosur” – ka shkruar Lukaku në rrjetet sociale, duke treguar malin e muskujve. Dikush, duke iu përmbajtur peshës, në fakt ishte përpjekur ta eklipsojë koston e blerjes së tij. Fakti është se, 187 gola me klubet dhe 48 gola me kombëtaren belge, janë më bindëse se fotoja e postuar. Interi që ka hedhur poshtë Icardi me pajën e tij të golave…

8. Krzysztof Piatek (Milani)
”Pistolero”, pasi ka bërë shkëndija me Genoa, ka shkarkuar pothuajse të gjithë arsenalin e vet në ditët e para me Milanin (6 gola nga 9 të tillë gjithsej, vetëm në Serie A, në 7 ndeshjet e para), duke maskuar problemet e ekipit. Më pas u bllokua disi, por 84 golat e karrierës së tij të shkurtër janë një garanci e padiskutueshme. Mund të zhbllokohet sapo të nisë sezoni i ri.

9. Fabio Quagliarella (Sampdoria)
Vetëm dy ditë më parë, ai përfundoi në nominim me Ibrahimoviç dhe Messi për çmimin “Puskas”, për golin më të mirë të sezonit 2018-2019. “Perla” me thembër e në fluturim kundër Napolit është një nga golat e shumtë në repertorin e tij. Quagliarella shënon shumë gola (204 me klubet, 9 me kombëtaren axurre) dhe, nëse Sampdoria udhëton në katet e sipërme të Serie A, kjo është falë tij.

10. Duvan Zapata (Atalanta)
Ai ishte lojtari i Atalantës në sezonin e kaluar, ndaj ka shumë kërkesa në merkato. Oferta “e pahijshme” për Percassi nuk ka mbërritur (dhe është vështirë të arrijë tani), kështu që Gasperini do të jetë akoma në gjendje të llogarisë shërbimet e tij. Kolumbiani ishte i aftë të shënonte 28 gola mes Serie A dhe kompeticioneve të tjera. Në total, ai ka grumbulluar 108 me klubet dhe 3 me kombëtaren e Kolumbisë. Integrohet mirë me Papu dhe Ilicic. Pjesëmarrja  në Ligën e Kampionëve do të nxjerrë në pah vetitë e tij më të mira.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit