Bayern triumfon me “poker” në “Der Klassiker”

9 Nëntor 2019
20:26
back button

Bayern Munich rikthehet fuqishëm, pasi ka triumfuar bindshëm me rezultatin 4-0 në “Der Klassiker” përballë Borussia Dortmund. Bavarezët harrojnë kështu disfatën e rëndë të një jave më parë 5-1 ndaj Eintracht Frankfurt, që i kushtoi vendin trajnerit Kovac.

Kampionët e Gjermanisë kanë rigjetur kështu ritmin në tentativë për të marrë kryesimin, teksa pas sfidës ndaj verdhezinjve, e vlefshme për javën e 11-të të Bundesligas, renditet në vend të tretë, në kuotën e 21 pikëve, po aq sa Red Bull Leipzig i vendit të dytë, dhe vetëm 1 pikë më pak se Borussia Monchengladbach i vendit të parë që nuk ka një ndeshje më shumë në dispozicion.

Bayern Munich ka çelur serinë e golave me bomberin e padiskutueshëm, Robert Lewandowski, që ka realizuar në minutën e 17’, 1-0 për vendasit, që në pjesën e dytë do të realizonin edhe 3 herë të tjera në portën e Dortmund.

Gnabry dyfishoi shifrat për bavarezët kur kishin kaluar vetëm 2 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, ndërkohë që sulmuesi polak, Lewa në të 76’ shënoi dopietën e tij personale, për të thelluar epërsinë e kampionëve në 3-0. Me 10 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të ndeshjes, një autogol i Hummels ka sigluar “poker-in” për Bayern Munich.

Ndërkohë që Bayern Munich konfirmon formën e mirë të shfaqur që në mesjavë kur fitoi ndaj Olympiacos me rezultatin 2-0 në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Champions League, në anën tjetër, Borussia Dortmund nuk ia del dot të realizojë një tjetër sukses si ai ndaj Inter me përmbysje 3-2. Verdhezinjtë, pas javës së 11-të renditen në vend të pestë në kuotën e 19 pikëve, dy më pak se Bayern Munich.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit