A do të debutojnë Kamberi dhe Seferi? Trajneri lë gjithçka hapur

13 Nëntor 2019
13:16
Alfred Lleshi
back button

Trajneri Edy Reja ka folur gjatë në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me Andorrën, që do të luhet nesër mbrëma, në orën 20:45 në “Elbasan Arena”. Megjithatë, ai nuk kërkon shpërqendrim nga të tijtë, që ata të mendojnë për Francën dhe stadiumin e ri, pa kaluar me sukses kundërshtarin e radhës: “Ndeshja me Andorrën? Kam një skuadër me djem inteligjentë. Ua kam bërë të ditur se pika jonë e referimit është ndeshja me Andorrën. Duhet të kemi rritje nga ana mentale. Nuk duhet nënvlerësuar kjo ndeshje, duhet të japim 110% të kapacitetit tonë.

Mungesa e Cikalleshit? Siç e dini, ai ka pasur rendiment të konsiderueshëm në ndeshjet që ka luajtur. Megjithatë, në kontingjentin tonë kemi 5 sulmues, përmend Kamberin, Manajn, Uzunin. Sulmuesit tanë janë në të njëjtin nivel dhe kanë karakteristika të njëjta. Unë do të vendos nesër, duke parë gjendjen më të mirë fizike. Kushdo që do të luajë, do të japë maksimumin. Kemi dhe Seferin e Balajn, që janë shumë të rëndësishëm. Pra, kemi djem të tjerë që do japin më të mirën.

4-3-3, mos është rasti i duhur ndaj Andorrës? Ky është moduli im i preferuar, e kam përdorur shpesh, por aktualisht me 3-5-2 kemi dy sulmues qendror, dy lojtarë krahu që i kërkoj shpesh të avancojnë dhe dy mesfushorë, që iu kërkoj inkursione drejt portës kundërshtare. Pra, me këtë skemë kemi më shumë prezencë në zonën e kundërshtarit. 4-3-3 kërkon dy mesfushorë krahu shumë të shpejtë. Grumbullohemi pak me kombëtaren dhe kam pak mundësi për të provuar. Me këtë modul luajmë më mirë dhe mund të marrim rezultate më të mira. Edhe djemtë ndihen më mirë me 3-5-2. 

Shpesh mendohet se të luash me 5 mbrojtës do të thotë se je shumë difensiv. Lojtarët tanë të krahut, Hysaj, Lenjani dhe Trashi kanë shumë detyra ofensive. Pra, ndodh që të kemi edhe vetëm tre mbrojtës kundër tre lojtarëve kundërshtarë. Ky modul nuk duhet konsideruar shumë difdensiv. Ne mundohemi të luajmë në një mënyrë të tillë, që të shkojmë sa më shumë në zonën e kundërshtarit.

A do të kenë mundësi Seferi dhe Kamberi të debutojnë, pasi Andorra konsiderohet ekip modest? Kamberi vjen nga një dëmtim dhe ka punuar veçmas nga grupi. Nëse do të më japë “ok” stafi dhe vetë ai për të luajtur, do ta aktivizoj, por ndoshta e marr edhe në pankinë dhe ta aktivizoj më pas, ashtu si dhe Seferin. Do të kisha qejf që t’i aktivizoja dhe t’i inkurajoja. Dua t’i njoh pak më shumë në kushtet e një ndeshjeje zyrtare”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit